Tuesday, July 21, 2009

Wednesday, March 25, 2009

Nga Bedri Myftari

Mirënjohës për punën e palodhur

(Mbresa nga Bedri Myftari,
ish-kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”

Intelektuali dhe shkrimtari i mirënjohur Shefki Hysa që në fillesat e demokracisë, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të nxjerrë në pah vlerat kulturore të një krahine të harruar siç është Çamëria, me inisiativën e tij, themeloi shtëpinë botuese me emrin e simbolit të letërsisë çame e mbarëkombëtare, Bilal Xhaferrit. Kjo shtëpi botuese përveç që promovoi vlerat kulturore e artistike të Çamërisë, u erdhi në ndihmë dhe botoi të gjitha krijimet e shkrimtarëve disidentë të anatemuar nga diktarura komuniste, si veprat e Mandelës së Shqipërisë, Pjetër Arbnorit, dorëshkrimet e Bilal Xhaferrit, Namik Manes e plot shkrimtarëve të tjerë të persekutuar.

Përveç kësaj, në Shtëpinë Botuese “Bilal Xhaferri” janë botuar edhe shumë vepra të letërsisë botërore që ishin të ndaluara në kohën e diktaturës. Kjo shtëpi botuese mori një hov dhe u bë e njohur edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjithë trevat shqiptare të diasporës, deri në Amerikë. Për këtë të gjithë krijuesit dhe artistët i janë mirënjohës dhe borxhli shkrimtarit dhe intelektualit të palodhur Shefki Hysa.

Përveç këtyre, Shefki Hysa krijoi dhe Shoqatën Kulturore “Bilal Xhaferri”, bashkë me një grup shkrimtarësh, artistësh e gazetarësh çamë, si dhe me shumë miq të poetit Bilal Xhaferri.

Shefki Hysa ka një meritë të veçantë që e lartësoi figurën Bilal Xhaferrit. Dhe këtë meritë duhet t’ia njohim së pari të gjithë ne miqtë e Bilalit, duhet t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve, jo vetëm për punën e tij të palodhur në çështjen e promovimit të kulturës çame, por sepse bëri atë që asnjë nga ne s’mundi ta bëjë. Ai bëri të pamundurën, duke hyrë në instancat më të larta të shtetit shqiptar, dhe solli eshtrat e Bilal Xhaferrit tonë të madh, të cilat prehen buzë detit Jon, në trevat e Çamërisë Martire që i deshi aq shumë i ndjeri Bilal.

Puna e Shefki Hysës nuk mbaron me kaq, ai mori revistën “Krahu i shqiponjës” që Bilali e themeloi dhe e ngriti në Çikago të Amerikës, ku botoi 39 numra, dhe e bëri prapë të fluturojë si shqiponjë në Tiranë. Dhe tani “Krahu i shqiponjës ka arritur mbi 80 numra. Kjo revistë do të rrojë sa të rrojnë malet tona arbërore.

Bedri Myftari
Shkrimtar, publicist

Mars, 2009

Tuesday, March 17, 2009

Foto - shkrimtari Bedri Myftari




MURGA

MURGA

Tregim

Aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1944, e gjithë fusha e Vasilikoit ishte mbuluar nga çadrat e muhaxhirëve çamë. Vapa e atij viti s’mbahet mend. Tërë ditën nga juga frynin erëra të nxehta. Ato sillnin me vete flakët e Çamërisë së djegur e i shpërndanin luginave. Ditën kampi i muhaxhirëve ishte si i platitur nga vapa, dukej si i pajetë. Porsa binte mbrëmja, në kamp fillonte jeta. Edhe erërat e ndryshonin drejtimin. Deti Adriatik fuste në detin Jon erërat e freskëta kontinentale që i sillte tutje nga Alpet, e Joni i shpërndante luginave.
Vajzat e nuset e reja mblidheshin tek kroi i Vasilikoit për të mbushur ujë. Plakat mblidheshin përpara çadrave, pinin kafe elbi e përmbysnin filxhanët. Netëve të gushtit mbi luginën e Vasilikoit varej hëna si një medalion i argjendtë në gushën e nuses e yjet digjeshin në fshehtësi si dashuri e vajzave çame.
Në xhade, mbi kampin e muhaxhirëve çamë, kalonin autokolonat gjermane që vinin nga Greqia. Ato shkonin gjithmonë drejt veriut. Tutje nga Mesdheu vinin ca gjëmime të thella. Qëllonin kryqëzorët. Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar. Vonë mbi kamp përhapej melodia e trishtë e një fyelli. Bariu ia merrte melodisë baritore ; “Tanë, Tanë, kako Tanë”. Murga ngrinte kokën nga hëna e niste e ulërinte, Au-u! Auu!
- “Hëngërsh kokën tënde! Hëngërsh kokën e tët zot”, murmurisnin muhaxhirët çamë kur dëgjonin ulëritjet e Murgës.
- ”Kushedi ç’fatkeqësi tjetër na ndjell”, - thoshin ata me njëri-tjetrin. Murga ishte bushtra ime. Vetëm unë dhe ajo kishim dalë të gjallë nga fshati. Dhe unë e dija, që Murga nuk ndillte asnjë fatkeqësi. Ajo ishte bushtra e stanit. Ajo qante për delet dhe për bariun. Kushdo që më shihte nga muhaxhirët, më thoshte; ”Vraje atë bushtër ogurzezë, se po s’e vrave ti do ta vrasim ne”.
Unë e Murga flinim jashtë, s’kishim çadër. Unë shtrihesha në bar. Murga më vinte te koka dhe angullinte me ngadalë, duke tundur bishtin. Kur dilte hëna mbi luginë e mbi kamp, përhapej melodia e trishtë baritore. ”Tanë, Tanë, kako Tanë”! Murga ngrinte kokën nga hëna dhe niste e ulurinte, Auu-u ! Auu-u… Muhaxhirët çamë i pllakoste tmerri.
Kur zgjohesha natën nga ndonjë ëndërr e frikshme, Murga më vinte te koka duke angullirë e duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte: “Fli, mos u tremb, se më ke mua këtu”! E unë flija përsëri i qetë.
Një natë u çova i llahtarisur nga gjumi nga një ëndërr e frikshme. Murga nuk ishte si çdo natë te koka ime.U tmerrova. Isha mësuar me të si me një njeri timin të afërt. E ndolla duke i vërshëllyer dhe duke i thirrur, “na Murga, na”.
Po asnjë përgjigje. E kërkova kaçube më kaçube e hendek më hendek duke i vërshëllyer e duke i thirrur, “na, Murga, na”. Por asnjë përgjigje.
Në xhade, mbi kamp, s’kishte pushuar zhurma e autokolonave gjermane që vinin nga Greqia e shkonin drejt veriut. Tutje nga Mesdheu, vinin gjëmimet e kryqëzorëve. Lufta e Dytë Botërore vazhdonte.
E kërkova ditë me radhë Murgën, por askund nuk e gjeta. Sikur u hap dheu dhe e përpiu. Kur pyesja ndonjë muhaxhir se mos e kishte parë bushtrën time, ai më përgjigjej ; “Paska ngordhur! Mirë e gjeti, se ajo ishte ogurzezë”!
- ”Do të ma ketë vrarë ndonjë nga muhaxhirët”, - thosha me vete. Isha shumë i mërzitur, nuk e kisha më pranë Murgën time.
Netët në kampin e muhaxhirëve çamë, atje në fushën e Vasilikoit, përsërisnin njëra-tjetrën. Të trishta e monotone.
Një natë vendosa dhe u nisa për në Çamëri. Udhëtova fshehurazi natën, vetëm.
Kur arrita në fshatin tim, ishte vjeshtë. Vjeshtë e vitit 1944 në Çamëri.
Përroi i Çafallinjve nxinte nga korbat.
- “Këtu do t’i kenë vrarë”, - thosha me vete.
- Krrok, krrok”! Krokitnin korbat, duke tundur krahët, si re të zeza mbi kokën time.
“Ja një dorë e vogël. Mos është e Esmasë, e motrës së vogël. Ja dhe një kokë me gërsheta të gjata. Mos është koka e nanës”, - thosha me vete.
“Krrok! Krrok”! Krokitnin korbat duke rrahur krahët si re të zeza mbi kokën time.
- “Ja dhe një…”
- “Krrok”!… e humba.
Këmbët më tërhoqën instiktivisht drejt shtëpisë sime. Tek porta m’u duk se më doli nana përpara me tumanë e jelek. Në kokë kishte një mandile me oja. Më hodhi duart në qafë.
- “Më kish djegur malli, robinëz e nanës”, - më tha.
U përmenda. Një qen kockë e lëkurë më kishte hedhur këmbët e para mbi supe dhe më lëpinte e më merrte erë duke angullirë. E njoha. Ishte Murga.
Nga furra e rënuar në vorua dolën ca këlyshë të vegjël dhe i ngjitnin buzët në gjinjtë e fishkur të Murgës.
E kuptova pse kishte ikur Murga e më kishte lënë vetëm atje në kampin e muhaxhirëve çamë në fushën e Vasilikoit. Ajo ishte mbarsur dhe donte t’i lindte këlyshët në vendlindjen e saj.
Murga ishte e uritur. Nxora nga xhepi ca kore buke të thatë dhe ia hodha. Ajo përtypte koret e bukës dhe më shikonte në sy sikur të ishte njeri. Këlyshët lëshuan sisët si lapa të Murgës dhe erdhën tek këmbët e mia dhe më lëpinin.
Unë i përkëdhela këlyshët dhe u nisa. Murga më vinte pas duke u fërkuar pas meje, duke angullirë me ngadalë dhe duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte:
- ”Më fal që të lashë vetëm”.
Pastaj në të dalë të fshatit, Murga u ndal. Më hodhi këmbët në supe, më lëpiu, më mori erë dhe u ul në bisht duke angullitur me ngadalë, sikur më thoshte:
- ”Më fal se kam këlyshët të vegjël e s’mund t’i lë vetëm”.
Kur kalova në një qafë, Murga nuk dukej më, dëgjova ulëritjen e saj:
- ”Au-u! Au-u”!
Këtë ulëritje e mbytën ca gjëmime të thella që vinin tutje nga Mesdheu.
Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar.

Bedri Myftari

Fluturzat e borës

FLUTURZAT E BORËS

Tregim

Era e ftohtë, që vjen nga thellësia e kontinentit, ose era e borës, siç i thonë, hyri nëpër grykat e çara të maleve dhe tërë natën u harbua nëpër qytet si ato pelat hergjele nëpër fushat e pafund. Me të gdhirë ajo e ndali frymën. Ndoshta ndërroi drejtim dhe kushedi për ku u nis për të shfryrë dufin e saj, a ndoshta humbi rrugën nëpër grykat e çara të maleve.Natyra ra në paqe.Ajo s’pipëtinte. Pothuajse dhe ajri nuk lëvizte. E si për të përshëndetur këtë paqe solemne të natyrës, nga lart u drejtuan në drejtim të tokës me miliarda fluturza të bardha, si ato petalet e luleve të kumbullës e bajames, kur i shkund era e shpërthimit të luleve në pranverë.
Rrugët e qytetit ishin mbushur me njerëz. Të gjithë kishin dalë për të soditur fluturzat e borës. Kur bie borë në qytetin tonë, është diçka e jashtëzakonshme, sepse shtëpitë prej guri të qytetit tonë çlodhen si ca pulëbardha të mëdha mbi brigjet e detit Jonian. Rrymat e erërave të ngrohta, që sjell deti Jonian nga vendet e largëta dhe të panjohura të gradave jugore janë të lodhura nga rruga e gjatë që kanë bërë dhe nuk i kalojnë dot malet e larta për të depërtuar në thellësi. Ato çlodhen mbi qytetin tonë dhe lëshojnë afshin e tyre të ngrohtë, si një afsh dashurie. Prandaj klima tek ne është e butë. Dimri tek ne nuk vjen, ai ikën. Prandaj kur bie borë është diçka e jashtëzakonshme për ne, banorët e qytetit bregdetar.
Ishte dita e fundit e vitit dhe dukesh sikur ai kishte lëshuar dorën e derdhte pa kursim fluturzat e borës mbi qytet, që të linte gjurma në kujtesën e njerëzve.
Karshi shtëpisë sonë, përdhese, ngrihej pallati i shokut Dine, sekretar i Komitetit të Partisë. Në ballkonin e shokut Dine për çdo ditë këndonte në kafaz një zog i bukur, që i thoshin kanarinë. Këtë zog të bukur shokut Dine ia kishin sjellë nga vendet e ngrohta.
Por atë ditë kur mbi qytet fluturonin fluturzat e borës, zogu i bukur ose kanarina, siç i thonin, ishte i shqetësuar. Ai nuk këndonte si çdo ditë. Nuk i zinte vendi vend dhe u binte telave të kafazit me sqep. Ndoshta fluturzat e bardha të borës i kujtonin lulëzimin e pemëve e i sillnin ndërmend vendet e tij të ngrohta, ku fluturonte i lirë si era. Ku ta dish, ndoshta mund të kishte edhe ftohtë. E në fund, prej marazit që nuk dilte dot nga kafazi, ngrinte kokën dhe nxirrte një zë të çjerrë, si në të qarë.
I sodisja nga dritarja zogun dhe fluturzat e borës. Fluturzat e borës dridheshin nëpër hapësirë si ca qenie të gjalla. Ato i prisnin majat e pemëve, çatitë e shtëpive, kokat e njerëzve që kalonin rrugës, e në fund toka. Fluturzat e borës ishin delikate, sapo zinin dhe shkriheshin menjëherë.
Sa dëshiroja të dilja nëpër rrugë, të më binin mbi flokë e mbi supe fluturzat e bardha të borës dhe t’i prisja në duar! Por nuk mund të dilja. Rubija ishte e sëmurë. Ajo dergjej për disa ditë në dyshek. Flokët e zeza i ishin derdhur mbi jastëk: si krahët e varur të një dallëndysheje të vrarë në fluturim. Buzët i ishin tharë nga temperatura e lartë dhe i kishin zënë një panëz të bardhë. Unë e nëna e çuam Rubijen tek doktori.
- Ka marrë të ftohtë! Na merri këto ilaçe, që kam vënë unë këtu!- i tha nënës doktori dhe i zgjati recetën e ilaçeve.
- Sa bëjnë këto shoku doktor? - e pyeti nëna.
Doktori i tha një shumë, që unë tani nuk e mbaj mend, por siç duket ilaçet do të kushtonin shtrenjtë, sepse nëna zuri kokën me duar dhe thirri:
- E zeza! E ku t’i gjej unë gjithë ato para!
- Duhet t’i marrësh patjetër! - i tha doktori, por po nuk munde t’i marrësh sot, në darkë fërkoje me vaj dhe hidhi kupat.
Në darkë unë lidha me leckë një gur petashuq dhe majën e leckës e ngjeva në vaj. Nëna ia fërkoi kurrizin Rubijes me vaj. Pastaj unë ndizja tek kandili leckën, ku kisha lidhur gurin petashuq dhe e vija mbi kurrizin e Rubijes. Këtë punë e bëja me kujdes të madh, ashtu siç bën një besimtar, kur ndez qirinj mbi altarin e shenjtë. Nëna vinte mbi leckën e ndezur gotën e ujit.
Gota ia rrufiste mishin Rubijes dhe buzët e saj hynin ndërmjet brinjëve, sepse asaj vetëm brinjët i kishin mbetur. Lecka shuhej e gota mbushej me tym, kurse Rubija nxirrte vetëm një « oh ! » prej dhimbjes. Kështu i hodhëm edhe kupat sipas porosisë së doktorit. Rubijes iu bë mishi vula-vula nga kupat, por ajo nuk u shërua.
Në ato çaste kanarina, çukiste me sqep telat e kafazit mbi ballkonin e shokut Dine dhe e dëshpëruar dhe me shpresa të humbura përpiqej për të fituar lirinë. Fluturzat e borës, dukej sikur donin të qëndronin sa më shumë në hapësirë, duke ndjekur njëra-tjetrën. Kurse unë qëndroja në dritare, duke i soditur dhe me fantazi fluturoja larg për të gjetur lekët e ilaçeve të Rubijes.
- Ujë! Ujë!
Kjo e thirrur më solli në vete.
Kanarina luftonte me telat e kafazit për t’u liruar. Fluturzat e borës e vazhdonin lojën e tyre, duke ndjekur njëra-tjetrën, pastaj binin mbi tokë për të shtruar çarçafin e bardhë.
Rubija dergjej në jatak duke rënkuar e duke folur përçart në kllapi. Herë pas here ajo thërriste me atë zërin e saj të ëmbël, por të mekur:
- Ujë, Ujë!
- Rubi, na ujë!
Ajo ma rrëmbeu gotën nga dora dhe e piu të gjithë me një frymë.
- Rubi, po bie borë!
Ajo më vështroi në sy.
Për një çast sytë e saj të zezë shkëlqyen nga një dritëz, që u ndez brenda tyre, e mollëzat e faqeve iu skuqën. Por ky qe vetëm një çast, sepse dritëza e brendshme e fik shpejt. Sytë e humbën shkëlqimin e qepallat u ulën poshtë si të lodhura. Ajo diç mërëmriti përçart. Ra përsëri në kllapi.
Kur dola në dritare, kanarina nuk u binte më me sqep telave të kafazit. E kishte pushuar luftën. I kishin humbur shpresat për liri dhe me krahë të hapur, sikur po fluturonte drejt vendeve të saj të ngrohta, kishte rënë në fund të kafazit. Ajo kishte ngordhur. Ngordhi nga dëshpërimi. A ndoshta ngriu nga të ftohtit. Fluturzat e borës dridheshin në hapësirë dhe nuk donin t’ia dinin se ç’ndodhte mbi tokë.
Nuk e di pse m’u dhimbs ajo kanarinë e vogël! Për një cast m’u duk si Rubija ime dhe sytë m’u mbushën me lot.
- Ujë! Ujë!
Kjo e thirrur më solli në vete.
- Rubi, na ujë!
Ajo ma rrëmbeu gotën dhe e piu me një frymë.
- Rubi, po bie borë !
- Nëna, nëna, ku është nëna? - tha dhe sytë e venitur iu përlotën.
Pastaj humbi në kllapi.
Nëna na kishte lënë në gjumë. Ajo ishte ngritur pa gdhirë dhe kishte shkuar tek e shoqja e majoriti
Për çdo natë unë e Rubi e prisnim nënën tek kreu i rrugicës. Në netët e bukura të verës, pritja nuk na dukej e gjatë, sepse ne humbisnim pas lodrave. Bridhnim pas xixëllonjave, ruanim hënën kur dilte pas malit si ndonjë zambak i bardhë kur nxjerr kokën mbi ujin e gjolit. Aroma e luleve të portokalleve e të limonave, e trazuar me erën e athtë të kripës, që sillte flladi i freskët, që frynte nga deti Jon, na bënte të ëndërronim për gjëra të bukura. Ne e njihnim që larg nënën dhe vraponim të gëzuar, kush t’i dilte i pari përpara. Ajo, sapo na shihte, i çelej nuri. Gëzohej, sepse ne për të ishim gjithçka. Ne të gëzuar dhe të dehur nga nata e bukur e verës i çuçuritnim me mijëra fjalë. Nëna buzëqeshte. Pastaj na lëmonte flokët, me duart e saj të bardha dhe të rreshkura, si diçka e zbrurë, që rri për një kohë të gjatë në ujë. Kurse në netët e mërzitëshme të dimrit, me erë e shi unë e Rubi strukeshim në ndonjë qoshe muri dhe prisnim në heshtje e në ankth. Kjo pritje nuk kish të sosur. Buçitja e egërsuar e detit, gjëmimet dhe vetëtimat na bënin të na dukej vetja si diçka e humbur dhe e pavlerë. Nisëm të dridheshim, jo nga të ftohtit, por nga një e fshehtë e padukshme, që ndjen kur je i vogël dhe i vetmuar në netët e errëta të dimrit. Kur na zinte veshi që larg trakatrakun e nallaneve të nënës, na dukej sikur nga pafundësia buçitnin me mijëra trumpeta shpëtimi. Ne vinim në vete. Nata nuk na dukej më e mistershme dhe e frikshme. I buzëqeshnim njëri-tjetrit.
- Ujë ! Ujë!
Më përmendi e thirrura e Rubijes që kërkonte ujë. I dhashë ujë Rubit dhe dola te dritarja. Rubi humbi përsëri në kllapinë e etheve.
Tani nuk shikoja asgjë përjashta. Nata kishte zbritur e qetë dhe më e errët se netët e tjera. Kjo ishte nata më e gjatë e vitit. Ishte nata e Vitit të Ri. Shoku Dine kishte ngrehur magnetofonin. Ata festonin natën e Vitit të Ri. Me imagjinatën time fluturova në dhomën e shokut Dine. Në mes të dhomës ishte vendosur pema e Vitit të Ri. Një bredh i gjatë, i stolisur me pambuk e portokalle. Shoku Dine pinte në tavolinë me të shoqen e të vëllanë. Hyrija, shërbyesja, hynte e dilte me pjatat e mezeve në duar.
Olegu dhe Sllavica, bijtë e shokut Dine, të veshur me rroba të reja, hidheshin të gëzuar rreth bredhit të Vitit të Ri. Kurse ne s’kishim asgjë. Asnjë kokërr portokalle që të lagte gojën Rubija e sëmurë.
Sa e poshtër që është ajo e shoqja e majorit! Ia nxjerr shpirtin nënës. Ka për ta mbajtur tërë natën. Unë jam vetëm. Rubija është e sëmurë. S’kemi asgjë për të ngrënë. Kurse sonte është nata e Vitit të Ri. Edhe nëna do të jetë e pikëlluar, se e mban mendjen te ne.
- Ujë! Ujë!
Të thirrurat e Rubijes për ujë m’i prenë mendimet.
Nga pallati i shokut Dine vinin melodi këngësh dhe të qeshura. Rubija rënkonte. Kurse fluturzat e borës përpiqeshin që çarçafin e zi, që kishte nderë nata në hapësirë, ta bënin të bardhë.
- “Sa u vonua nëna! Kushedi sa do të ketë vajtur ora”! Fillova të shqetësohem.
Rrugës kalonin njerëz. Unë dilja me vrap në dritare, se më dukeshin si hapat e nënës. Por gjurmët shuheshin tutje në fundin e rrugicës. Nga dy-tri herë ia ngrita fitilin kandilit, por më në fund ai u fik, sepse iu mbarua vaji. Errësira pushtoi të gjithë dhomën. Rubija rënkonte. Nga pallati i shokut Dine vinin melodi këngësh dhe të qeshura. Fluturzat e borës dridheshin nëpër hapësirë, duke ndjekur njëra-tjetrën. Tek dritaret e shokut Dine feksnin dritat. “Do të pres Vitin e Ri”, thashë me vete. Kur të fiken dritat tek shoku Dine, do të vijë Viti i Ri. U ula tek jataku i Rubijes dhe të gjithë vëmendjen e përqëndrova te dritat. Sa i këputur që isha!
U shtriva praën Rubit. Edhe shtrirë dritat i shihja tek vezullonin në rrugë. Për një kohë e pashë vezullimin e dritave në rrugë, pastaj humba si në një mjegull. Më bëhej sikur fliste Rubija:
- Ujë! Ujë! Por nuk çohesha dot. Pashë plot ëndrra si në kllapi. Pastaj m’u bë sikur kërciti dera. Bëra të çohesha, por nuk luajta dot, sytë nuk hapeshin.
- Kush është?! - fola nëpër gjumë.
- Jam unë! - dëgjova zërin e nënës.
Atëherë më doli gjumi.
- Ti je, nënë?!
- Unë jam!
Në rrugë vezullonin dritat!
- Erdhi Viti i Ri?
- Erdhi, pse nuk e pe ti? - tha nëna.
- Jo, se më zuri gjumi, - iu përgjigja.
- Si është Rubija?
- Është shumë e sëmurë! - i thashë.
- Po pse rrini në errësirë?
- Na u fik kandili se na u mbarua vaji.
- Çohuni se ju kam sjellë portokalle! - na tha dhe u afrua te ne. I vuri dorën Rubit në ballë.
- S’paska zjarrllëk, i ka rënë! - tha.
Pastaj filloi t’i ledhatojë flokët Rubit duke e përkëdhelur.
- Çohu të keqen nëna! Çohu Rubi i nënës! Por Rubi nuk çohej. Pastaj nëna filloi t’i flasë shpejt:
- Çohu Rubi! Çohu Rubi! Rubi, Rubi, Rubi, Rubiii… të keqen nëna, çohu!
- Çohu Rubi se na ka sjellë nëna portokalle, - i fola unë. Çohu se do të jap fjongo të bardhë. Do të të jap edhe fletoren e vizatimit edhe lapsin e kuq.
- Bir! Më iku vajza, - thirri nëna.
Unë ngriva.
Kishte filluar të frynte një erëz e hollë që i hidhte fluturzat e borës nëpër xhamat e dritareve. Dukej sikur kjo erëz e hollë po endte me fluturzat e bardha të borës savanin e Rubijes.

Bedri Myftari

Tregim

KALI QORR

Kur nata i hidhte tokës vellon e saj të zezë, unë, Rubi dhe Besniku nxirrnim kryet nga dritarja e shtëpisë sonë përdhese dhe me veshë ngrehur, përgjonim zhurmën e karrocave, që kalonin në xhade, aty pranë shtëpisë sonë. Nëna, e ulur në minder, thurte çorape ose triko dhe nëpër dhëmbë mërmëriste çdo natë melodinë e së njëjtës këngë.
Xixëllonjat, që ndizeshin e fikeshin përsëri, si ca farë të vegjël në portin e një oqeani të pafund, yjet që shkëputeshin nga qielli si fishekzjarre dhe që linin prapa një bisht të ndritur, na tërhiqnin vëmendjen për një çast mua, Rubit dhe Nikut. Por menjëherë e mblidhnim veten dhe të gjithë vëmendjen e përqëndronim sërish tek zhurma e karrocave, që kalonin në xhadenë pranë shtëpisë sonë.
- Baba, karroca e babit! - thërriste padashur Rubi kur veshi i zinte së largu zhurmën e karrocës së babait.
Për një çast ne e ndalnim edhe frymëmarrjen. Nëna e pushonte këngën e saj të preferuar, nuk thurte më dhe, me veshë të ngrehur, përgjonte edhe ajo.
- Babai! Karroca e babait! - thërrisnim ne të tre menjëherë, sapo zhurma e karrocës afrohej.
Nëna më vështronte me buzë në gaz dhe fytyra e saj ndriçonte nga një rreze gëzimi, ashtu si e ndriçon një mëngjes pranvere, kur del dielli në buzë të malit.
- Hi, hi! Hi, hi! - hingëllinte doriu kur i afrohej shtëpisë.
Të gjithë dilnim e prisnim babanë tek porta prej lese.
- Si e kalove sot? - e pyeste nëna.
- Bereqaversën! - i përgjigjej shkurt babai. - Po ju, kolopuçët e babait, si e kaluat sot? - na pyeste neve dhe na merrte pranë duke na ledhatuar me dorën e tij të ashpër.
Ne nuk i përgjigjeshim, por si ca kulishë të vegjël i ngjiteshim pas trupit të tij të bëshëm. Pastaj babai ç’mbrehte kalin nga karroca. Rubi nxirrte ujë nga pusi me çikrik. Niku merrte doriun nga kapistra dhe e çonte në vendin e vet. Unë çoja trastën me tagji. Nëna merrte trastën me gjëra që kishte psonisur babai dhe hynte brenda.
Kjo përsëritej çdo natë.
Kali ynë ishte qorr nga të dy sytë. Ai kishte punuar një jetë të tërë në ndërmarrje. Por u plak. E bashkë me moshën i iku edhe vështrimi.
Drejtori i ndërmarrjes u bëri një mbledhje karrocierëve të ndërmarrjes dhe i tha babait:
- Doriun tënd çoje në thertore nesër, se do të të japim një kalë të ri.
Babai u pre. Për një çast nuk foli fare. Pastaj u çua dhe i tha:
- Doriu ka lënë kockat për ndërmarrjen; edhe unë bukën e fëmijëve me doriun e kam nxjerrë. A nuk është krim ta çojmë në therore për lëkurën?
- Po çfarë të bëjmë sipas teje? Shteti do punë. Fëmijët e tu duan të hanë. Pastaj doriu do të hajë. Kush do ta mbajë? Ti e di se në shoqërinë tonë nuk ka vend për parazitët, - tha drejtori.
Babai, pasi u mendua pak, u tha:
- Mirë, unë nuk dua kalë të ri, do të punoj me doriun.
- Me doriun? - u habit drejtori. - E si do të punosh ti me të? Ai është i verbër. Shteti do normën.
- E marr vetë përgjegjësinë, - i tha babai.
Ai u bë si pjestar i familjes sonë. Asnjëri nga ne nuk e thërriste “qorr”. Babait i vinte rëndë dhe zemërohej shumë kur dikush i fliste kalit me këtë emër. Edhe neve na vinte keq po t’i thoshin doriut tonë “qorr”.
Kur ecte ndonjëherë doriu në baltë dhe nuk e tërhiqte dot karrocën, babai nuk e rrihte me kamxhik. Ai zbriste nga karroca, e zinte nga kapistra dhe i fliste me të butë:
- Hajde, dori, jepi! Mos më turpëro! Forca dhe një çikë, xhan i vëllait!
Doriu i mblidhte të gjitha forcat dhe e nxirrte karrocën nga balta.
Unë, Rubi dhe Niku mbasi përgatisnim mësimet për ditën e nesërme, dilnim në arat jashtë qytetit dhe mblidhnim grëm për doriun tonë. Nëna e lante grëmin me ujë pusi dhe ia bënte doriut gati për darkë.
Rreth qafës, babai i kishte varur doriut një rreth me zilka të vogla që tringëllinin sa herë që doriu ecte me vrap ose tundte kokën.
Kur babai kthehej shpejt nga puna, ose kur kishte pushim, Niku i hipte doriut, më merrte mua përpara, Rubin në vithe dhe niseshim për ta kullotur. Tek porta prej lese na dilte gjithnjë përpara Lejlaja me ato flokët e gjata e të drejta që i binin mbi supet delikate. Niku e ndalonte doriun dhe e merrte edhe Lejlanë përpara. Niku dhe Lejlaja ishin në klasë të tetë, Rubi ishte në klasën e pestë, kurse unë isha në të tretën. Niku e Lejlaja duheshin. Unë një natë, duke bredhur pas xixëllonjave, i pashë poshtë një molle të lulëzuar, në bahçen tonë, duke u puthur. Këtë ia tregova vetëm Rubit. Por ajo më bërtiti dhe unë nuk e hapa më gojën. Kur kalonim rrugës, na dilnin kalamajtë e mëhallës dhe na ngacmonin duke thirrur:
- Kali qorr! Kali qorr!
Niku nxehej. Zbriste nga doriu dhe, shpesh zihej me ta. Për ne kjo ishte një farë kënaqësie dhe Niku na dukej si një kalorës i mesjetës, tamam si ato kalorësit për të cilët kishim lexuar nëpër libra. Pastaj Niku i hipte doriut, më merrte mua dhe Lejlanë përpara e Rubin në vithe e shkonim tek livadhi që i thonim “Man i shkruar”. Ky livadh ishte disa kilometra në të dalë të qytetit. Emrin “Man i shkruar “ ia kishin ngjitur, sepse në mes të livadhit ishte rritur një man i madh me degë të trashë, që, kur, i piqte kokrrat, i bënte të shkruara.
Porsa i afroheshim livadhit, doriu hingëllinte me të madhe dhe bëhej i gjallë. Ndoshta i kujtohej edhe atij fëmijëria, nëna e tij, pela. Ndoshta i kujtohej drita e syve kur shihte livadhet e bleruara. Doriun e lëshonim të bridhte i lirë nëpër livadh. Unë, Rubi dhe Lejlaja mblidhnim lule, i thurnim kurorë dhe ia varnim doriut në qafë. Niku rrinte i shtrirë në kurriz në bar dhe, kush e di ku bridhte mbi krahët e fantazisë. Kur hëna dilte në buzë të malit dhe bari lagej nga vesa e mbrëmjes, i hipnim doriut dhe ktheheshim për në shtëpi. Doriu ecte si i menduar. As ne nuk flisnim. Sodisnim hënën që ecte tërë naze si një vajzë mendjemadhe.
Kështu rridhnin ditët njëra pas tjetrës. Dhe ne ishim të lumtur se nuk e njihnim jetën ende.

* * *

Por ylli i lumturisë për ne u shua atë ditë që vdiq babai. Ai punonte edhe jashtë orarit. Shkonte e pastronte ose hapte puse. E kishte zanat. Por një ditë ai mbeti pa jetë në fundin e një pusi tek pesë furrat e bukës. Këto puse kishin vite që nuk funksiononin. Dhe babai nuk doli më gjallë që andej. Në fund të pusit kishte gaz karbonik dhe ai u asfiksua. Mbetëm si zogjtë e klloçkës unë, nëna, Niku, Rubi dhe doriu.
Nëna hyri në punë në NISH Tulla të qytetit. Punonte me tre turne. Në ditët e pushimit shkonte në shtëpitë e oficerëve dhe nëpunësve të Komitetit të Partisë e të Komitetit Ekzekutiv për të ndihmuar gratë e kuadrove të Partisë për larjen e rrobave. Ajo, kur kthehej nga puna, qante. Ne e vështronim të pikëlluar. S’kishim si ta ndihmonim; ishim ende të vegjël. Edhe doriu nuk hingëllinte më kur e nxirrnim për ta kullotur nga livadhi i “Manit të shkruar”.
Por, pa kaluar as një muaj nga vdekja e babait, erdhën ata të ndërmarrjes dhe na e morën edhe doriun. Nuk ndaheshim dot. Na u duk se po na merrrnin me dhunë një pjesëtar të familjes. Niku iu lut atyre që të mos na e merrnin doriun, por ata s’donin t’ia dinin nga lutjet tona. Atëherë Niku u tha:
- Ju do ta çoni në thertore vetëm për lëkurën. Ua paguaj unë, vetëm ma lini!
- Pse, çfarë do të na kthesh ti, pronën private? - ia ktheu përgjegjësi i ndërmarrjes.
Unë isha ulur tek lesa duke qarë e duke bërtitur:
- Nuk ju lë të kaloni! Doriu është yni!
Rubi i fërkonte kokën dhe e puthte në buzë. Kur e tërhoqën nga kapistra, doriu nguli këmbët në tokë dhe nuk lëvizte veç turfullonte “Furr! Furr!” Ata e rrahën me shkopinj dhe e tërhoqën me aq forcë sa ia bënë doriut buzët tërë gjak.
Kur u kthye nëna nga puna, në orën dymbëdhjetë të natës, neve na gjeti zgjuar. Por kur na pa se nuk i dolëm përpara për ta pritur, si çdo natë, u habit dhe na tha:
- Ç’keni kështu? ç’ju ka gjetur?
- Doriun! Na e morën! - i fola unë dhe ia plasa të qarit.
Filluan të qajnë edhe Rubi me Nikun. Nëna na mori pranë dhe na qetësoi. Shtëpizën tonë e kishte pllakosur zia. Ishim pesë e doriu gjashtë. Mbetëm katër.
Mbasi kaluan tre-katër ditë nga dita që na morën doriun ne dolëm anës së lumit për të mbledhur dru zjarri. Në anën e përtejme të lumit ishte thertorja. Ne u afruam. Jashtë, përpara thertores kishte vathë me dele, qengja, dhi, desh, vathë me lopë e dema si dhe një vathë me kuaj. Të gjithë prisnin rradhën për t’u therur. U afruam tek thertorja.
- Hi-hi-hi! - u dëgjua hingëllima e një kali.
Shkuam pranë vathës së kuajve. Doriu na ndjeu, na njohu me nuhatje, e çau turmën e kuajve dhe erdhi tek porta e vathës.
- Dori! - thirrëm ne.
- Hi-hi-hi! - u përgjigj ai. Ne u avitëm tek porta prej lese dhe filluam ta përkëdhelnim doriun tonë. Ai na merrte erë dhe hingëllinte tërë mall. Oh, sa ishte dobësuar ato tri-katër ditë! Ndoshta e kishin lënë pa ushqyer.
Ne nuk duruam më, e hapëm derën prej lese dhe e morëm doriun. I dhamë ujë. Oh, sa shumë piu! Kishte tri -katër ditë pa pirë. E lamë dhe e çuam tek “Mani i shkruar.” Doriu kulloste si i babëzitur. Ne mblodhëm kurora me lule dhe ia varëm në qafë.
Kur u kthye nëna nga turni i dytë, ne i dolëm përpara të gëzuar.
- Çfarë keni. Ç’është gjithë ky gëzim? - na pyeti.
- Hi-hi-hi! - hingëlliu doriu nga oborri.
Ajo u shtang.
- Ku e gjetët? - pyeti nëna.
- Në thertore.
- Dhe e morët vetë?
- Po, - iu përgjigjëm njëzëri.
- Puuu, po ç’keni bërë?! - na tha.
Ne vështronim njëri-tjetrin si të habitur. Nuk e kuptonim ç’kishim bërë. Ashtu të hutuar na zuri gjumi. Por u zgjuam të llahtarisur nga të trokiturat e forta tek porta. Ishte stallieri dhe policia.
- Ku e keni kalin? - i bërtiti nënës një kapter.
- Këtu, në oborr, - u tha nëna.
- Shko sille! - urdhëroi kapteri.
Nëna shkoi e zgjidhi. Ne rrinim si të ngrirë. Ata e rrahën doriun me shkopinj dhe e tërhoqën me forcë nga kapistra, sa ia bënë gojën gjak. Doriu turfullonte dhe s’donte kurrësesi të ecte.
- Merreni dhe atë!- urdhëroi kapteri duke ia bërë me dorë nga Niku.
- Djalin do ma merrni? E pse?- u tha nëna.
Ata nuk folën, por shkuan dhe e zunë Nikun nga krahët e hollë. Ai i kishte hapur sytë e mëdhenj dhe vështronte nënën si të vetmen shpresë shpëtimi.
- Jo, djalin nuk ua lë! - thirri nëna dhe e mori Nikun në gjoks.
Ata e shtynë nënën dhe e tërhoqën Nikun zvarrë. Ne filluam të qanim.
- Bir! Bir i nënës! - klithi nëna.
- Hi-hiihi! Hi-hiihi! - hingëlliu doriu.
Nata e errët pus i përpiu në barkun e saj të zi klithjet e nënës, të qarat tona, Nikun bashkë me hingëllimat e doriut tonë.

Bedri Myftari
12 qershor 1960

Tregim

VJESHTAT QAJNË

Atë natë treni arriti me vonesë në qytetin “F”. Kur zbrita, frynin erërat e jugës. Ngrita jakën e pardesysë dhe u futa në një rrugicë. Ishte një natë pa yje e pa hënë. Ecja kuturu. Më udhëhiqte intuita. Në këtë qytet kisha kaluar fëmijërinë. Ecja pa vetëdije, i rrëmbyer nga rrjedha e kujtimeve. Nuk e mbaj mend sa brodha e në sa rrugica u futa, por kur shkova për të zënë vend, hoteli qe mbyllur. Sportelisti mezi ma hapi derën dhe më tha që ishte një vend bosh në dhomën 24 të katit të tretë. U zhvesha në errësirë për të mos i prishur gjumin tjetrit. Sapo më zinte gjumi.
Erërat çmendeshin përjashta. Pemët shushurinin e shkundnin rrobat e verdha të gjetheve të dala jashtë mode dhe thellë qenies së tyre ëndërronin pranverën…
Plaku i Heminguejit luftonte për jetë a vdekje me peshkaqenët.
U uuuu… Sollën erërat pas xhamit të dritares një ulërimë rrënqethëse…
Heroi i Xhek Londonit i kishte vënë dhëmbët në fyt ulkonjës nga dashuria për jetën.
Në këtë kohë u çua si i llahtarisur shoku i dhomës. Ai filloi të vijë vërdallë duke folur me vete. Ashtu, në errësirë, me ato këmbë e krahë të gjatë tërë kokalla si skelet, dukej si fantazmë që sapo ka dalë nga varri.
- “Do jetë i sëmurë psiqik”, - mendova me vete. Pastaj ai shkoi e hapi dritaren. Erërat u futën brenda me gjithë vrullin e tyre dhe bënë dhomën rrëmujë. Ai rrinte me gjoks drejt erërave duke mërmëritur.
- “Mos është somnambul dhe hidhet nga dritarja”, - më shkoi në mendje dhe bëra të çohesha. Por ai e mbylli dritaren dhe ndezi dritën. Ishte i gjatë, me fytyrë të hequr, me flokë të thinjur dhe shumë i verdhë.
Pastaj mori çantën dhe andej nxori një bllok me kapak të gjelbër. U ul në tavolinë dhe filloi të shkruajë. Shkruante duke mërmëritur nën zë. Kur mbaroi, e mbylli fletoren dhe e futi në çantë. Ktheu sytë nga krevati im. Kur e pa që isha zgjuar, vuri buzë në gaz dhe më tha:
- Më falni, se ju prisha gjumin.
- S’ka gjë, - i thashë, - se kur fryjnë erëra, mua s’më zë gjumi.
Kisha ditë që isha në ankth. Më mundonin ca tinguj hyjnorë që ishin të pakapshëm. Kurse sonte erdhën e u ulën vetë në pentagram.
- Kompozitor jeni?
- Po, - më tha.
- Mos keni ardhur në këtë qytet me lejekrijimtarie për konkursin e 25 vjetorit të krijimit të Partisë?
Ai më vështroi drejt e në sy pa më kthyer përgjigje. Pastaj më tha:
- Lirinë nuk ia fal as të dashurës, - thotë një poet. - Unë jam dashuruar përjetësisht me artin. Më burgosën, se nuk këndova për lakuninë. Bëra 15 vjet. Tani ka ca ditë që kam dalë nga burgu. Mua mund të më hedhin prangat përsëri, por këta tinguj hyjnorë që ranë sonte mbi pentagramin tim, nuk lidhen, nuk burgosen. Ata janë hyjnorë, dhuratë qiellore. Unë do të vdes dhe sipas ligjeve të gjithësisë do të shndërrohem në një send tjetër, pluhur, baltë, lule a zog nuk e di. Por di vetëm një gjë, se kjo sonatë që thura sonte për një natë të errët, ku dëgjohen tingujt hyjnorë të agimit, s’ka për të vdekur kurrë. E ti ke për t’i dëgjuar se je ende i ri. E kur të dëgjosh sonatën e « një nate të errët me erëra » do të kujtohet plaku i hotel turizmit të qytetit “F”.
U fut në shtrat dhe nuk u dëgjua më. Unë dëgjoja erërat dhe diku mes erërave të zeza, shikoja një vajzë të bukur tek puthej me kompozitorin.
- Oh, sa jam lodhur duke të kërkuar, - i thoshte plaku, - tani që të gjeta le të vdes.
Kur u zgjova, ai kishte ikur. Erërat nuk dëgjoheshin më. U çova dhe hapa dritaren. Re të zeza, çadra të zeza, baltë e zezë. Kishte filluar të rigonte një shi i imët, që dukej se nuk do të pushonte kurrë. Pikëllimi ishte varur pezull mbi qiellin e atij qyteti, atë ditë vjeshte. Ai pasqyrohej në sytë e kalimtarëve dhe i kishte vënë vulën e vet çdo fytyre. Edhe mua më kaploi të gjithin trishtimi. M’u kujtuan vjeshtat e atij viti…
Karvani i refugjatëve ecte ditë e natë në baltë e shi.
- Nënë, pse qan qielli? - e pyeta nënën.
- Për të larë gjakun e të vrarëve nga lufta, - m’u përgjigj.
- Kur isha në klasën e parë fillore përsëri vjeshtat qanin. Pse qanin?!
Një ditë pyeta mësuesen:
- Zonjushe pse qajnë vjeshtat?!
Ajo më pa me sytë e saj të mëdhenj si e habitur dhe më tha:
- Si the, si the?
- Kur vinim rrugës, e pyeta nënën pse qajnë vjeshtat, dhe ajo m’u përgjigj: për të larë gjakun e të vrarëve nga lufta. Po tani lufta ka mbaruar dhe vjeshtat përsëri qajnë.
Zonjushë Hervehesë iu mbushën sytë me lot. Ma shtrëngoi kokën në gjoks dhe më tha:
- Për të larë gjakun e atyre që pushkatohen netëve, brigjeve të lumenjve pa gjyqe.
Zonjushe Herveheja ishte atëherë 18-19 vjeç dhe vishej me të zeza. Mos i kishin vrarë dhe asaj vëllanë e babanë?
Por ja, vjeshtat ende qajnë. Pse qajnë vjeshtat në atdheun tim?!
Për telat me gjemba mbi gjoksin e këtij vendi. Për kampet, burgjet, qelitë, për luftën e egër të klasave, për shpirtrat e munduar, më ktheu përgjigje një zë i brëndshëm.
Po trokiste dera e dhomës. Do jetë Korbi i Edgar Poesë. Të trokiturat shtoheshin.
- Hyrë! - fola me vetëdije.
Dera u hap dhe para syve u shfaq një qenie e kuqe. Flokët i kishte të kuqe dhe fytyrën të kuqe e kishte, edhe sytë i ishin skuqur. Ai buzëqeshte dhe më foli në emër. E njoha, ishte Kuqoja, shoku i fëmijërisë. Mbasi u përqafuam e pyeta:
- Si e more vesh që isha këtu?!
- Po kontrolloja listat e atyre që kanë fjetur këtë natë në këtë hotel dhe pashë emrin tënd, - më tha.
- Pse sportelist je…, - e pyeta.
Ai vuri buzën në gaz dhe më tha:
- Jo, jam operativi i sigurimit për turizmin e këtij qyteti.
- A të kujtohet kur gjuanim piligorka anës Mbrostarit? Po rosat e egra që i kapnim me leqe? Kemi qënë të prapë, sidomos ti, - më tha.
Unë nuk flisja.
- Sot është ditë tamam për gjuetinë e rosave. A vjen të shkojmë bashkë në Seman?
- Po unë nuk kam çifte.
- E marr unë çiften e kryetarit të degës, se e kam grurë më të.
- Mirë, - i thashë.
Mbasdite u nisëm me një gaz të degës së punëve të brendshme të qytetit “F”. Shoferi ishte tip i heshtur. Ishte i zeshkët në fytyrë. Çudi, të gjithë punonjësit e sigurimit i zgjidhnin të zeshkët. Mua më është krijuar përshtypja se të zeshkët janë të heshtur dhe janë me gjak të turbullt.Vetëm Kuqoja bënte përjashtim. Atë natë e kaluam tek shtëpia e një fshatari, që, siç na tha Kuqoja, e kishte bazë.
U çuam herët. Shiu kishte pushuar. Yjet lart shkëlqenin dhe dukej sikur sapo kishin dalë nga dushi. Varkën e ngiste çuni i Gjenës, kështu e thërriste Kuqoja fshatarin ku e kaluam natën. U dëgjua kori i rosave që larg.
- O zot! Sa shumë rosa kishin rënë në kënetë!
- Po fshatarët e këtyre anëve nuk dalin për të gjuajtur rosa? - pyeta Kuqon.
- Ky është rezervat, - më tha Kuqoja. - Këtu gjuan vetëm udhëheqja e lartë e partisë dhe ne të sigurimit.
Gjuetia na shkoi mbarë. Kur po ktheheshim, bashkë me rrezet e kuqërremta të agimit, fushës së Semanit u ndien edhe jonet e një kënge të vjetër dashurie. Ishte një zë femre.
- Ç’është kjo mrekulli?! - pyeta i habitur Kuqon.
- Është një nga ato, - më tha.
- Ç’farë janë ato?!
- Të internuara. Këtu pranë është kampi i internimit.
Ra heshtja. Ne nuk folëm më. Kur arritëm në fshat, Kuqos i kishte ardhur urdhëri që të nisej urgjent për te pika e kufirit, se dikush kishte tentuar për t’u arratisur me varkë gjatë natës.
- Më prit këtu, - më tha Kuqoja.
Mbasdite dola shëtitje fushave. Ishte një ditë e bukur vjeshte. Edhe kaçubet e zhukave sikur ishin gjallëruar pas shiut. Aty-këtu kishte bujisur lulja e vjeshtës. I përhumbur në mendime, ecja fushave pa vetëdije. Kur papandehur jonet e një kënge pushtuan të gjithë hapësirën. Ishte po ai zë femre që dëgjova edhe në mëngjes. U ndala dhe u përpoqa të kuptoja fjalët e këngës. Ishin fjalë malli, fjalë zemre. Eca andej nga vinte kënga. Si tek përralla e një mijë e një netëve, para syve m’u shfaq një vajzë me flokë të zeza të derdhura mbi supe. Ajo ishte ulur te një mur i rrënuar, kishte mbështetur faqen te dora e djathtë dhe kishte humbur në magjinë e asaj kënge. Unë u ndala para saj dhe vështroja si i magjepsur. Sytë i kishte në ngjyrën e lulevjeshtës, që kishte lulëzuar fushave të Semanit në ato ditë. Ishte e venitur në fytyrë. Kur mbaroi këngën u përmend. Sapo më pa, u çua e frikësuar dhe u nis të ikte.
- Për hatër të Zotit, ndaloni një minutë, - i thashë.
Ajo u ndal dhe ashtu si e hutuar më pyeti:
- Pse, e besoni Zotin ju?!
- E besoj, - i thashë.
Ajo më vështroi e habitur dhe me dyshim.
- Gënjeni, - më tha.
- Pse ku e di ti se gënjej?
- E di, se ju komunistët nuk keni Zot.
Shtanga për një çast.
- Por nga e di ti se unë jam komunist?
- Ti ke ardhur me Miçon. Ai është operativi i sigurimit. Ke fjetur tek shtëpia e çunit të Gjenës, ai është spiuni i Kuqos.
Mbeta si i ngrirë për ca çaste. Pastaj i thashë:
- Unë nuk jam anëtar partie, as në sigurim dhe as spiun. Unë jam gazetar. Miçon e kam shok fëmijërie.
Ajo më pa përsëri me dyshim dhe bëri të ikte.
- Qëndro një minutë, - i thashë. - Dua t’iu pyes për diçka.
- Mos rrini shumë me mua, se do ta pësoni. Unë jam e internuar, kurse ju jeni gazetar.
U ula te muri dhe e vështroja si i mahnitur. O Zot! Ç’kishte bërë kjo krijesë hyjnore që e kishin internuar?! Ajo sikur m’i lexoi mendimet dhe më tha:
- Ti do që ta dish pse më kanë internuar?
- Po! - i thashë.
Ajo më vështroi drejt e në bebëzat e syve. Uli kokën dhe psherëtiu nga thellësia e shpirtit.
- Është histori e gjatë, - më tha.
- Të lutem ma trego.
- Atëherë ishte vjeshtë si tani, - nisi ajo. - Kishte ditë që shirat s’kishin të sosur. Në një nga këto ditë të zymta të vjeshtës, unë humba triskat e bukës. Në shtëpi nuk kthehesha dot. Ishin shtatë vetë që prisnin t’u çoja bukë. Babai, nëna, vëllezërit dhe motrat që ishin më të vegjël se unë. Atëherë isha 14-15 vjeçe. Kisha qëndruar në strehën e një dyqani dhe po qaja.
- Ç’ke moj xhan? - më pyesnin kalimtarët.
- Kam humbur triskat e bukës, - u përgjigjesha unë me ngashërime.
- E shkreta! - ia bënin dhe largoheshin.
Kur u err, u ndal një veturë e kuqe. Andej doli një burrë i bëshëm dhe i mbajtur. M’u afrua, më zuri nga mjekra, më çoi kokën dhe më tha:
- Ç’ke?
- Kam humbur triskat e bukës, - i thashë.
- Mos qaj, se do t’i gjejmë triskat, - më tha dhe më futi në veturë.
Vetura u nis. U ndalëm përpara një ndërtese katërkatëshe, që ishte Komiteti i Partisë.
- Ik, - i tha shoferit. - Do të të marr vetë në telefon.
Te dera doli një jevgë rreth të dyzetave.
- Çoje në dush dhe e di vetë ti pastaj, - i tha ai për mua.
- Si urdhëron, - iu përgjigj jevga.
Ajo më dha një sapun me erë, peshqirin dhe më tha:
- Kur të mbarosh, mbështillu me peshqir dhe më fol mua.
Kur dola nga banja, ajo më çoi në një dhomë të vogël.
- Këtu i ke të gjitha, - më tha, krihu, parfumosu, vishu dhe më fol mua kur të mbarosh.
Ishte një dhomë e vogël me pasqyra të mëdha si në përralla. E hodha peshqirin aty dhe për herë të parë pashë trupin tim femëror. Sa të bukur më nxirrnin ato pasqyra. Atje kishte lloj-lloj mbathjesh e këmishash. Unë vesha një palë mbathje të kuqe me dantella të zeza. Vesha një këmishë bojë kremi. O Zot sa e bukur dukesha! Rashë në dashuri me vetveten. Shishet e parfumit ishin seri-seri. Kishte esenca trëndafili, manushaqe, dorëzoje e lloje të tjera që nuk ua di emrin. U parfumosa dhe u kreha. Vesha një minifund të zi dhe një bluzë të bardhë. Pastaj jevga më çoi në dhomën e ngrënies. Tavolina ishte shtruar, kishte fazanë të pjekur, fruta, ëmbëlsira dhe shishe me pije. U fut ai. Më hodhi një vështrim nga koka tek këmbët. Instiktivisht i vura të dyja duart në gjoks.
- Ulu dhe ha tani, - më tha.
Unë u ula, ai hante si i babëzitur. Kur ngriti gotën, më pa mua dhe më tha:
- Pse nuk ha?!
Mua m’u mbushën sytë me lot. Nuk më shkonte asgjë. Vëllezërit dhe motrat e vogla më prisnin. Ato ishin të uritur. Pastaj erdhi jevga dhe më çoi tek dhoma e gjumit. Dhoma kishte një krevat dopio dhe dy pasqyra në të dy krahët e krevatit. U zhvesha, fika dritën dhe u shtriva. Gjumi s’po më zinte. Kur dëgjova që u hap dera e dhomës, u çova si e llahtarisur.
- Mos u fikëso, - më tha, - se jam unë. Ai ndezi dritën, unë po dridhesha. Ai po vinte drejt meje. Ishte i madh si baloz, me sy të dala përjashta, me buzë të trasha, me qafë të kuqe, me bark të madh e këmbë të holla.
Unë bërtita.
- Ndihmë!
Por ai më zuri gojën me dorën e tij të madhe si putër ariu.
Ajo mbuloi fytyrën me të dy duart dhe nuk foli më.
Mua m’u kujtua tregimi i Mopasanit ”Bija e Rokës”.
- Po pastaj, - e pyeta pas pak.
- Më dha një palë triska të reja dhe më çoi shoferi në shtëpi.
Babai u ankua për këtë, kur ia tregova unë, por askush nuk e dëgjoi. Atëherë babai se ku e gjeti një revole dhe e qëlloi kur doli nga zyra. E plagosi, por nuk e vrau dot. Babanë e dënuan 25 vjet. Ne na internuan këtu.
- Po ai ku është tani?
- Ishte sekretar i Komitetit të Partisë, tani është në Komitetin Qendror të Partisë në Tiranë, - më tha dhe u çua e iku.
Ja pse qajnë vjeshtat në Atdheun tim.

Bedri Myftari
15 tetor 1966