Tuesday, March 17, 2009

MURGA

MURGA

Tregim

Aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1944, e gjithë fusha e Vasilikoit ishte mbuluar nga çadrat e muhaxhirëve çamë. Vapa e atij viti s’mbahet mend. Tërë ditën nga juga frynin erëra të nxehta. Ato sillnin me vete flakët e Çamërisë së djegur e i shpërndanin luginave. Ditën kampi i muhaxhirëve ishte si i platitur nga vapa, dukej si i pajetë. Porsa binte mbrëmja, në kamp fillonte jeta. Edhe erërat e ndryshonin drejtimin. Deti Adriatik fuste në detin Jon erërat e freskëta kontinentale që i sillte tutje nga Alpet, e Joni i shpërndante luginave.
Vajzat e nuset e reja mblidheshin tek kroi i Vasilikoit për të mbushur ujë. Plakat mblidheshin përpara çadrave, pinin kafe elbi e përmbysnin filxhanët. Netëve të gushtit mbi luginën e Vasilikoit varej hëna si një medalion i argjendtë në gushën e nuses e yjet digjeshin në fshehtësi si dashuri e vajzave çame.
Në xhade, mbi kampin e muhaxhirëve çamë, kalonin autokolonat gjermane që vinin nga Greqia. Ato shkonin gjithmonë drejt veriut. Tutje nga Mesdheu vinin ca gjëmime të thella. Qëllonin kryqëzorët. Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar. Vonë mbi kamp përhapej melodia e trishtë e një fyelli. Bariu ia merrte melodisë baritore ; “Tanë, Tanë, kako Tanë”. Murga ngrinte kokën nga hëna e niste e ulërinte, Au-u! Auu!
- “Hëngërsh kokën tënde! Hëngërsh kokën e tët zot”, murmurisnin muhaxhirët çamë kur dëgjonin ulëritjet e Murgës.
- ”Kushedi ç’fatkeqësi tjetër na ndjell”, - thoshin ata me njëri-tjetrin. Murga ishte bushtra ime. Vetëm unë dhe ajo kishim dalë të gjallë nga fshati. Dhe unë e dija, që Murga nuk ndillte asnjë fatkeqësi. Ajo ishte bushtra e stanit. Ajo qante për delet dhe për bariun. Kushdo që më shihte nga muhaxhirët, më thoshte; ”Vraje atë bushtër ogurzezë, se po s’e vrave ti do ta vrasim ne”.
Unë e Murga flinim jashtë, s’kishim çadër. Unë shtrihesha në bar. Murga më vinte te koka dhe angullinte me ngadalë, duke tundur bishtin. Kur dilte hëna mbi luginë e mbi kamp, përhapej melodia e trishtë baritore. ”Tanë, Tanë, kako Tanë”! Murga ngrinte kokën nga hëna dhe niste e ulurinte, Auu-u ! Auu-u… Muhaxhirët çamë i pllakoste tmerri.
Kur zgjohesha natën nga ndonjë ëndërr e frikshme, Murga më vinte te koka duke angullirë e duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte: “Fli, mos u tremb, se më ke mua këtu”! E unë flija përsëri i qetë.
Një natë u çova i llahtarisur nga gjumi nga një ëndërr e frikshme. Murga nuk ishte si çdo natë te koka ime.U tmerrova. Isha mësuar me të si me një njeri timin të afërt. E ndolla duke i vërshëllyer dhe duke i thirrur, “na Murga, na”.
Po asnjë përgjigje. E kërkova kaçube më kaçube e hendek më hendek duke i vërshëllyer e duke i thirrur, “na, Murga, na”. Por asnjë përgjigje.
Në xhade, mbi kamp, s’kishte pushuar zhurma e autokolonave gjermane që vinin nga Greqia e shkonin drejt veriut. Tutje nga Mesdheu, vinin gjëmimet e kryqëzorëve. Lufta e Dytë Botërore vazhdonte.
E kërkova ditë me radhë Murgën, por askund nuk e gjeta. Sikur u hap dheu dhe e përpiu. Kur pyesja ndonjë muhaxhir se mos e kishte parë bushtrën time, ai më përgjigjej ; “Paska ngordhur! Mirë e gjeti, se ajo ishte ogurzezë”!
- ”Do të ma ketë vrarë ndonjë nga muhaxhirët”, - thosha me vete. Isha shumë i mërzitur, nuk e kisha më pranë Murgën time.
Netët në kampin e muhaxhirëve çamë, atje në fushën e Vasilikoit, përsërisnin njëra-tjetrën. Të trishta e monotone.
Një natë vendosa dhe u nisa për në Çamëri. Udhëtova fshehurazi natën, vetëm.
Kur arrita në fshatin tim, ishte vjeshtë. Vjeshtë e vitit 1944 në Çamëri.
Përroi i Çafallinjve nxinte nga korbat.
- “Këtu do t’i kenë vrarë”, - thosha me vete.
- Krrok, krrok”! Krokitnin korbat, duke tundur krahët, si re të zeza mbi kokën time.
“Ja një dorë e vogël. Mos është e Esmasë, e motrës së vogël. Ja dhe një kokë me gërsheta të gjata. Mos është koka e nanës”, - thosha me vete.
“Krrok! Krrok”! Krokitnin korbat duke rrahur krahët si re të zeza mbi kokën time.
- “Ja dhe një…”
- “Krrok”!… e humba.
Këmbët më tërhoqën instiktivisht drejt shtëpisë sime. Tek porta m’u duk se më doli nana përpara me tumanë e jelek. Në kokë kishte një mandile me oja. Më hodhi duart në qafë.
- “Më kish djegur malli, robinëz e nanës”, - më tha.
U përmenda. Një qen kockë e lëkurë më kishte hedhur këmbët e para mbi supe dhe më lëpinte e më merrte erë duke angullirë. E njoha. Ishte Murga.
Nga furra e rënuar në vorua dolën ca këlyshë të vegjël dhe i ngjitnin buzët në gjinjtë e fishkur të Murgës.
E kuptova pse kishte ikur Murga e më kishte lënë vetëm atje në kampin e muhaxhirëve çamë në fushën e Vasilikoit. Ajo ishte mbarsur dhe donte t’i lindte këlyshët në vendlindjen e saj.
Murga ishte e uritur. Nxora nga xhepi ca kore buke të thatë dhe ia hodha. Ajo përtypte koret e bukës dhe më shikonte në sy sikur të ishte njeri. Këlyshët lëshuan sisët si lapa të Murgës dhe erdhën tek këmbët e mia dhe më lëpinin.
Unë i përkëdhela këlyshët dhe u nisa. Murga më vinte pas duke u fërkuar pas meje, duke angullirë me ngadalë dhe duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte:
- ”Më fal që të lashë vetëm”.
Pastaj në të dalë të fshatit, Murga u ndal. Më hodhi këmbët në supe, më lëpiu, më mori erë dhe u ul në bisht duke angullitur me ngadalë, sikur më thoshte:
- ”Më fal se kam këlyshët të vegjël e s’mund t’i lë vetëm”.
Kur kalova në një qafë, Murga nuk dukej më, dëgjova ulëritjen e saj:
- ”Au-u! Au-u”!
Këtë ulëritje e mbytën ca gjëmime të thella që vinin tutje nga Mesdheu.
Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar.

Bedri Myftari

1 comment:

  1. Pershendetje Bedri Myftari,
    "Murga'', tregim qe zgjon dhimbje e kujtime te largta e jo shume te largta, si vitet e jetes se vuajtur ne Laprake ne vitet 70'-80' prane kanalit te felliqur te zooteknikes ku te detyronin te jetoje ne kasolle me kashte.
    Zoti te Bekofte!

    ReplyDelete