Tuesday, March 17, 2009

Tregim

KALI QORR

Kur nata i hidhte tokës vellon e saj të zezë, unë, Rubi dhe Besniku nxirrnim kryet nga dritarja e shtëpisë sonë përdhese dhe me veshë ngrehur, përgjonim zhurmën e karrocave, që kalonin në xhade, aty pranë shtëpisë sonë. Nëna, e ulur në minder, thurte çorape ose triko dhe nëpër dhëmbë mërmëriste çdo natë melodinë e së njëjtës këngë.
Xixëllonjat, që ndizeshin e fikeshin përsëri, si ca farë të vegjël në portin e një oqeani të pafund, yjet që shkëputeshin nga qielli si fishekzjarre dhe që linin prapa një bisht të ndritur, na tërhiqnin vëmendjen për një çast mua, Rubit dhe Nikut. Por menjëherë e mblidhnim veten dhe të gjithë vëmendjen e përqëndronim sërish tek zhurma e karrocave, që kalonin në xhadenë pranë shtëpisë sonë.
- Baba, karroca e babit! - thërriste padashur Rubi kur veshi i zinte së largu zhurmën e karrocës së babait.
Për një çast ne e ndalnim edhe frymëmarrjen. Nëna e pushonte këngën e saj të preferuar, nuk thurte më dhe, me veshë të ngrehur, përgjonte edhe ajo.
- Babai! Karroca e babait! - thërrisnim ne të tre menjëherë, sapo zhurma e karrocës afrohej.
Nëna më vështronte me buzë në gaz dhe fytyra e saj ndriçonte nga një rreze gëzimi, ashtu si e ndriçon një mëngjes pranvere, kur del dielli në buzë të malit.
- Hi, hi! Hi, hi! - hingëllinte doriu kur i afrohej shtëpisë.
Të gjithë dilnim e prisnim babanë tek porta prej lese.
- Si e kalove sot? - e pyeste nëna.
- Bereqaversën! - i përgjigjej shkurt babai. - Po ju, kolopuçët e babait, si e kaluat sot? - na pyeste neve dhe na merrte pranë duke na ledhatuar me dorën e tij të ashpër.
Ne nuk i përgjigjeshim, por si ca kulishë të vegjël i ngjiteshim pas trupit të tij të bëshëm. Pastaj babai ç’mbrehte kalin nga karroca. Rubi nxirrte ujë nga pusi me çikrik. Niku merrte doriun nga kapistra dhe e çonte në vendin e vet. Unë çoja trastën me tagji. Nëna merrte trastën me gjëra që kishte psonisur babai dhe hynte brenda.
Kjo përsëritej çdo natë.
Kali ynë ishte qorr nga të dy sytë. Ai kishte punuar një jetë të tërë në ndërmarrje. Por u plak. E bashkë me moshën i iku edhe vështrimi.
Drejtori i ndërmarrjes u bëri një mbledhje karrocierëve të ndërmarrjes dhe i tha babait:
- Doriun tënd çoje në thertore nesër, se do të të japim një kalë të ri.
Babai u pre. Për një çast nuk foli fare. Pastaj u çua dhe i tha:
- Doriu ka lënë kockat për ndërmarrjen; edhe unë bukën e fëmijëve me doriun e kam nxjerrë. A nuk është krim ta çojmë në therore për lëkurën?
- Po çfarë të bëjmë sipas teje? Shteti do punë. Fëmijët e tu duan të hanë. Pastaj doriu do të hajë. Kush do ta mbajë? Ti e di se në shoqërinë tonë nuk ka vend për parazitët, - tha drejtori.
Babai, pasi u mendua pak, u tha:
- Mirë, unë nuk dua kalë të ri, do të punoj me doriun.
- Me doriun? - u habit drejtori. - E si do të punosh ti me të? Ai është i verbër. Shteti do normën.
- E marr vetë përgjegjësinë, - i tha babai.
Ai u bë si pjestar i familjes sonë. Asnjëri nga ne nuk e thërriste “qorr”. Babait i vinte rëndë dhe zemërohej shumë kur dikush i fliste kalit me këtë emër. Edhe neve na vinte keq po t’i thoshin doriut tonë “qorr”.
Kur ecte ndonjëherë doriu në baltë dhe nuk e tërhiqte dot karrocën, babai nuk e rrihte me kamxhik. Ai zbriste nga karroca, e zinte nga kapistra dhe i fliste me të butë:
- Hajde, dori, jepi! Mos më turpëro! Forca dhe një çikë, xhan i vëllait!
Doriu i mblidhte të gjitha forcat dhe e nxirrte karrocën nga balta.
Unë, Rubi dhe Niku mbasi përgatisnim mësimet për ditën e nesërme, dilnim në arat jashtë qytetit dhe mblidhnim grëm për doriun tonë. Nëna e lante grëmin me ujë pusi dhe ia bënte doriut gati për darkë.
Rreth qafës, babai i kishte varur doriut një rreth me zilka të vogla që tringëllinin sa herë që doriu ecte me vrap ose tundte kokën.
Kur babai kthehej shpejt nga puna, ose kur kishte pushim, Niku i hipte doriut, më merrte mua përpara, Rubin në vithe dhe niseshim për ta kullotur. Tek porta prej lese na dilte gjithnjë përpara Lejlaja me ato flokët e gjata e të drejta që i binin mbi supet delikate. Niku e ndalonte doriun dhe e merrte edhe Lejlanë përpara. Niku dhe Lejlaja ishin në klasë të tetë, Rubi ishte në klasën e pestë, kurse unë isha në të tretën. Niku e Lejlaja duheshin. Unë një natë, duke bredhur pas xixëllonjave, i pashë poshtë një molle të lulëzuar, në bahçen tonë, duke u puthur. Këtë ia tregova vetëm Rubit. Por ajo më bërtiti dhe unë nuk e hapa më gojën. Kur kalonim rrugës, na dilnin kalamajtë e mëhallës dhe na ngacmonin duke thirrur:
- Kali qorr! Kali qorr!
Niku nxehej. Zbriste nga doriu dhe, shpesh zihej me ta. Për ne kjo ishte një farë kënaqësie dhe Niku na dukej si një kalorës i mesjetës, tamam si ato kalorësit për të cilët kishim lexuar nëpër libra. Pastaj Niku i hipte doriut, më merrte mua dhe Lejlanë përpara e Rubin në vithe e shkonim tek livadhi që i thonim “Man i shkruar”. Ky livadh ishte disa kilometra në të dalë të qytetit. Emrin “Man i shkruar “ ia kishin ngjitur, sepse në mes të livadhit ishte rritur një man i madh me degë të trashë, që, kur, i piqte kokrrat, i bënte të shkruara.
Porsa i afroheshim livadhit, doriu hingëllinte me të madhe dhe bëhej i gjallë. Ndoshta i kujtohej edhe atij fëmijëria, nëna e tij, pela. Ndoshta i kujtohej drita e syve kur shihte livadhet e bleruara. Doriun e lëshonim të bridhte i lirë nëpër livadh. Unë, Rubi dhe Lejlaja mblidhnim lule, i thurnim kurorë dhe ia varnim doriut në qafë. Niku rrinte i shtrirë në kurriz në bar dhe, kush e di ku bridhte mbi krahët e fantazisë. Kur hëna dilte në buzë të malit dhe bari lagej nga vesa e mbrëmjes, i hipnim doriut dhe ktheheshim për në shtëpi. Doriu ecte si i menduar. As ne nuk flisnim. Sodisnim hënën që ecte tërë naze si një vajzë mendjemadhe.
Kështu rridhnin ditët njëra pas tjetrës. Dhe ne ishim të lumtur se nuk e njihnim jetën ende.

* * *

Por ylli i lumturisë për ne u shua atë ditë që vdiq babai. Ai punonte edhe jashtë orarit. Shkonte e pastronte ose hapte puse. E kishte zanat. Por një ditë ai mbeti pa jetë në fundin e një pusi tek pesë furrat e bukës. Këto puse kishin vite që nuk funksiononin. Dhe babai nuk doli më gjallë që andej. Në fund të pusit kishte gaz karbonik dhe ai u asfiksua. Mbetëm si zogjtë e klloçkës unë, nëna, Niku, Rubi dhe doriu.
Nëna hyri në punë në NISH Tulla të qytetit. Punonte me tre turne. Në ditët e pushimit shkonte në shtëpitë e oficerëve dhe nëpunësve të Komitetit të Partisë e të Komitetit Ekzekutiv për të ndihmuar gratë e kuadrove të Partisë për larjen e rrobave. Ajo, kur kthehej nga puna, qante. Ne e vështronim të pikëlluar. S’kishim si ta ndihmonim; ishim ende të vegjël. Edhe doriu nuk hingëllinte më kur e nxirrnim për ta kullotur nga livadhi i “Manit të shkruar”.
Por, pa kaluar as një muaj nga vdekja e babait, erdhën ata të ndërmarrjes dhe na e morën edhe doriun. Nuk ndaheshim dot. Na u duk se po na merrrnin me dhunë një pjesëtar të familjes. Niku iu lut atyre që të mos na e merrnin doriun, por ata s’donin t’ia dinin nga lutjet tona. Atëherë Niku u tha:
- Ju do ta çoni në thertore vetëm për lëkurën. Ua paguaj unë, vetëm ma lini!
- Pse, çfarë do të na kthesh ti, pronën private? - ia ktheu përgjegjësi i ndërmarrjes.
Unë isha ulur tek lesa duke qarë e duke bërtitur:
- Nuk ju lë të kaloni! Doriu është yni!
Rubi i fërkonte kokën dhe e puthte në buzë. Kur e tërhoqën nga kapistra, doriu nguli këmbët në tokë dhe nuk lëvizte veç turfullonte “Furr! Furr!” Ata e rrahën me shkopinj dhe e tërhoqën me aq forcë sa ia bënë doriut buzët tërë gjak.
Kur u kthye nëna nga puna, në orën dymbëdhjetë të natës, neve na gjeti zgjuar. Por kur na pa se nuk i dolëm përpara për ta pritur, si çdo natë, u habit dhe na tha:
- Ç’keni kështu? ç’ju ka gjetur?
- Doriun! Na e morën! - i fola unë dhe ia plasa të qarit.
Filluan të qajnë edhe Rubi me Nikun. Nëna na mori pranë dhe na qetësoi. Shtëpizën tonë e kishte pllakosur zia. Ishim pesë e doriu gjashtë. Mbetëm katër.
Mbasi kaluan tre-katër ditë nga dita që na morën doriun ne dolëm anës së lumit për të mbledhur dru zjarri. Në anën e përtejme të lumit ishte thertorja. Ne u afruam. Jashtë, përpara thertores kishte vathë me dele, qengja, dhi, desh, vathë me lopë e dema si dhe një vathë me kuaj. Të gjithë prisnin rradhën për t’u therur. U afruam tek thertorja.
- Hi-hi-hi! - u dëgjua hingëllima e një kali.
Shkuam pranë vathës së kuajve. Doriu na ndjeu, na njohu me nuhatje, e çau turmën e kuajve dhe erdhi tek porta e vathës.
- Dori! - thirrëm ne.
- Hi-hi-hi! - u përgjigj ai. Ne u avitëm tek porta prej lese dhe filluam ta përkëdhelnim doriun tonë. Ai na merrte erë dhe hingëllinte tërë mall. Oh, sa ishte dobësuar ato tri-katër ditë! Ndoshta e kishin lënë pa ushqyer.
Ne nuk duruam më, e hapëm derën prej lese dhe e morëm doriun. I dhamë ujë. Oh, sa shumë piu! Kishte tri -katër ditë pa pirë. E lamë dhe e çuam tek “Mani i shkruar.” Doriu kulloste si i babëzitur. Ne mblodhëm kurora me lule dhe ia varëm në qafë.
Kur u kthye nëna nga turni i dytë, ne i dolëm përpara të gëzuar.
- Çfarë keni. Ç’është gjithë ky gëzim? - na pyeti.
- Hi-hi-hi! - hingëlliu doriu nga oborri.
Ajo u shtang.
- Ku e gjetët? - pyeti nëna.
- Në thertore.
- Dhe e morët vetë?
- Po, - iu përgjigjëm njëzëri.
- Puuu, po ç’keni bërë?! - na tha.
Ne vështronim njëri-tjetrin si të habitur. Nuk e kuptonim ç’kishim bërë. Ashtu të hutuar na zuri gjumi. Por u zgjuam të llahtarisur nga të trokiturat e forta tek porta. Ishte stallieri dhe policia.
- Ku e keni kalin? - i bërtiti nënës një kapter.
- Këtu, në oborr, - u tha nëna.
- Shko sille! - urdhëroi kapteri.
Nëna shkoi e zgjidhi. Ne rrinim si të ngrirë. Ata e rrahën doriun me shkopinj dhe e tërhoqën me forcë nga kapistra, sa ia bënë gojën gjak. Doriu turfullonte dhe s’donte kurrësesi të ecte.
- Merreni dhe atë!- urdhëroi kapteri duke ia bërë me dorë nga Niku.
- Djalin do ma merrni? E pse?- u tha nëna.
Ata nuk folën, por shkuan dhe e zunë Nikun nga krahët e hollë. Ai i kishte hapur sytë e mëdhenj dhe vështronte nënën si të vetmen shpresë shpëtimi.
- Jo, djalin nuk ua lë! - thirri nëna dhe e mori Nikun në gjoks.
Ata e shtynë nënën dhe e tërhoqën Nikun zvarrë. Ne filluam të qanim.
- Bir! Bir i nënës! - klithi nëna.
- Hi-hiihi! Hi-hiihi! - hingëlliu doriu.
Nata e errët pus i përpiu në barkun e saj të zi klithjet e nënës, të qarat tona, Nikun bashkë me hingëllimat e doriut tonë.

Bedri Myftari
12 qershor 1960

No comments:

Post a Comment